VIDEO/ Një maskë me drita që imitojnë lëvizjen e gojës

schedule02:44 - 27 Tetor, 2020

schedule 02:44 - 27 Tetor, 2020

Portofoli, çelësat, syzet, e tani edhe maska. Sende pa të cilat nuk bën kurrsesi të dalësh nga shtëpia në 2020-ën, prej virusit por edhe për të kursyer një 3000 lekësh.

Një nga sfida që përdorimi i maskave paraqet, së bashku me avullimin e xhamave të syzeve është edhe komunikimi. Lëvizja e buzëve është element kyç në komunikimin verbal, një pjesë e madhe e emocionit dhe ndjesive shprehet nëpërmjet buzëqeshjes, shtrëngimit të tyre etj.

Jo tamam zgjidhja ideale, por dikush ka menduar të shtojë drita LED maskave, për t’i dhënë pak dritë zymtësisë që përgjithësisht përcjellin.
Tyler Glaiel një zhvillues lojrash nga Kalifornia ka ndarë në Twitter projektin e tij modest, shoqëruar nga pjesët që duhen si edhe kodin e nevojshëm.

Pjesët përbërëse do të kushtojnë diku tek £40, paneli fleksibël LED do të kushtojë më shumë, bashkë me të do të duhet një mikrofon për të kapur zërin, proçesori për të dhënë komandat dhe një maske e zakonshme.

Me të bashkuar komponentët në rregullin e duhur, dritat do të reagojnë në varësi të zërit. Ato nuk do të jenë askund afër saktësisë së lëvizjes së buzëve, duke vazhduar të penalizohen kështu njerzit me aftësi të kufizuara që lexojnë buzët, por së paku do i japin një shije pozitive këtyre ditëve të zymta.