VIDEO/ NBA: Houston tregon forcën ndaj Lakers, tronditen sërish Bucks

schedule12:04 - 5 Shtator, 2020

schedule 12:04 - 5 Shtator, 2020

Goditja e radhës për Milwaukee Bucks, që ka humbur edhe ndeshjen e tretë në play-off kundër Miami Heat. Sfida e NBA u mbyll me shifrat 115-110 dhe gjithçka u vendos në periodën e katërt, kur Miami shpërtheu dhe shënoi 27 pikë më shumë se kundërshtari.

Epërsia prej 12 pikësh shkoi dëm për Bucks. Giannis Antetokounmpo, autor i 21 pikëve, 9 asisteve dhe 16 topave të kapur në tabelë, doli kokulur nga parketi. Brook Lopez (22 pikë) dhe Khris Middleton (18 pikë) u përpoqën të ndihmojnë grekun, por në fund gjithçka shkoi në disfavor të tyre.

Jimmy Butler, për Heat, ishte në një formë të mirë. Ai shënoi 30 pikë, si dhe pati mbështetjen edhe të shokëve të tjetër të skuadrës. Bam Adebayo (20 pikë), Jae Crowder (17 pikë), Goran Dragic (15 pikë) dhe Tyler Herro (13 pikë) dhanë gjithashtu një kontribut të vyer për skuadrën e tyre, që është një fitore larg finales së Konferencës së Lindjes.

DUELI TJETËR – LA Lakers e ka humbur gjysmëfinalen e parë të Konferencës së Perëndimit. Përballë kishin një skuadër të fortë si Houston Rockets dhe përballja u mbyll me rezultatin 97-112, me skuadrën e James Harden që e bëri diferencat në periodat 2 dhe 4.

Harden ishte në një formë fantastike, duke shënuar 36 pikë. Së bashku me Russell Westbrook (26 pikë) dhe Eric Gordon (23 pikë), zhvlerësuan 20 pikët e LeBron James dhe paraqitjen mjaft të mirë të Anthony Davis (25 pikë, 14 topa të kapur në tabelë). /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!