VIDEO/ Motrat ukrainase kërcejnë mbi varrin e babait të vrarë në luftë, rrezikojnë 5 vite burg

schedule09:42 - 30 Gusht, 2023

schedule 09:42 - 30 Gusht, 2023

Kërcimi provokues mbi varrin e babait të tyre, që vdiq në luftën e Ukrainës do t’i kushtojë shtrenjtë dy vajzave nga Kievi, të cilat janë arrestuar nga policia dhe rrezikojnë deri në 5 vite burg.

Dy motrat kishin shkuar për të vizituar varrin e babait të tyre në varrezat “Forest” të kryeqytetit ukrainas më 24 gusht. Por në vend të nderimeve për babain e ndjerë, ato zgjodhën të filmojnë një video për ta postuar në rrjetet sociale, ku të dyja nisin të kërcejnë dhe bëjnë twerk.

Video e bërë virale tregon dy motrat, e veshura me bluza të zeza dhe pantallona të shkurtra duke kërcyer ndërsa qëndrojnë midis varreve të ushtarëve. Babai i vajzave ishte një ushtar i Brigadës 95 të Forcave të Armatosura të Ukrainës, i cili u vra pranë Izium, në rajonin lindor të Donetskut.

Ai u vra në luftë duke mbrojtur Ukrainën nga ushtria e Putin, por vajzat e tij për shkak të përdhosjes së figurës së ushtarëve të rënë në betejë do të përballen me ligjin.

Pas një reagimi të furishëm, ato pranuan se kishin gabuar dhe se kërcimi që kishin bërë ishte i papërshtatshëm. Njëra nga motrat foli në rrjetet sociale duke kërkuar falje.

“Unë dhe motra ime kërkojmë falje, nderojmë çdo ushtar të rënë për atdheun tonë. Ne vizituam varrin e babait tonë të rënë, i cili vdiq në afërsi të Izium.

Fatkeqësisht, nuk ishte shumë korrekte të postoja këtë lloj video, megjithëse nuk kishim ndërmend të përdhosnim heronjtë”, tha ajo.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!