VIDEO/ Moment epik në Kampionatin Europian të Atletikës, sportistja spanjolle feston para kohe dhe përfundon pa medalje

schedule14:13 - 8 Qershor, 2024

schedule 14:13 - 8 Qershor, 2024

Atletja spanjolle, Laura Garcia Caro përjetoi surprizën më të pakëndshme të karrierës së saj, pasi festoi para kohe për medalje gjatë garës, por në finish ajo përfundoi e katërta dhe pa podium.

Në fillim të Kampionatit Europian të Atletikës, i cili mbahet në Romë, pamë disa gara shumë emocionuese dhe dramatike, ku veçanërisht interesante ishte gara e ecjes së shpejtë prej 20 kilometrash.

Pas gati 90 minutash garë nëpër rrugët e Romës, Laura Garcia-Caro hyri në fundin e garës duke u ndjerë si fituese e medaljes. Spanjollja festoi me entuziazëm medaljen e ‘parakohshme’, por gaboi.

Garcia-Caro nuk e pa që pas saj ishte ukrainasja Lyudmila Oljanovska, e cila arriti të kapërcejë atleten spanjolle dhe të fitojë medaljen e bronztë.

Më interesante është reagimi i spanjolles, shprehja e fytyrës të së cilës ndryshoi nga gëzimi i madh në habi në vetëm pak sekonda. Të gjitha i kapën kamerat dhe videoja u bë menjëherë virale në qarqet sportive të internetit.

Garcia-Caro nuk kishte më forcë të kthehej dhe kaloi vijën e finishit e katërta, pa fituar asnjë medalje. Ari dhe argjendi mbetën në Itali me Antonella Palmisano dhe Valentina Trapletti që zunë dy vendet e para./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!