VIDEO/ Mema e presidenti Meta i urojnë titullin Tiranës, policia arreston tifozët

schedule08:54 - 20 Korrik, 2020

schedule 08:54 - 20 Korrik, 2020

Tifozët e Tiranës e prisnin prej 11 vitesh titullin kampion, skuadra ia doli të zhvillonte një sezon fantastik dhe t’iu dhuronte atyre trofeun e madh në 100-vjetorin e klubit. Festë e madhe dhe urime të shumta për suksesin e klubit më të titulluar në Shqipëri.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka uruar popullin bardheblu me anë të një postimi në “Facebook”, aty ku shkruan: Shumë urime TIRONËS, ekipit KAMPION dhe të gjithë tifozëve të mrekullueshëm bardhë e blu, të cilët i përshëndes me këto pamje fantastike nga festa e mbrëmshme që ndriçoi të gjithë kryeqytetin.

Titulli KAMPION, plotësisht i merituar, i shton hijeshinë 100-vjetorit të Tironës kryeqytet! Ashtu siç me të drejtë i madhi Kasem Hallulli e përjetësoi në këngë: ‘O Tiron Tirona, Ti do të jesh KAMPIONIA.

Një status urimi ka bërë edhe Ardian Mema, ish-trajneri i bardhebluve, i cili ka meritën e vet në këtë sukses. “Urime ekipit kampion. Dua të uroj të gjithë gjeneratat e futbollistëve të Tironës, nga i madhi Selman Stërmasi e deri te djemtë që triumfuan këtë sezon.

 

Postimi i Memës

Një urim i veçantë shkon edhe për të gjithë tifozët e Tironës“, shkruan 48-vjeçari, i cili drejtoi klubin e tij të zemrës prej 12 tetorit të vitit 2018 deri në 26 tetorin e vitit të kaluar.

Tifozët vërshuan rrugëve të kryeqytetit pas fitores së Vllaznisë kundër Kukësit, rezultat që shpalli zyrtarisht Tiranën kampione dy javë përpara fundit të kampionatit. Grumbullimi i tyre u bë në sheshin “Nënë Tereza”.

Festë e madhe, kore dhe thirrje, fishekzjarre, mjete piroteknike, por edhe arrestime. Policia ndërhyri për të shpërndarë turmën bardheblu, të cilët po festonin suksesin e skuadrës së zemrës. Tensioni nuk mungoi teksa, siç dallohet në video, pati edhe persona që u shoqëruan në komisariat. /abcnews.al