Efektivi i policisë rrugore Alban Tafili 31 vjeç ka mbetur i plagosur gjatë një aksidenti të ndodhur mëngjesin e sotëm. Policia njofton se aksidenti ka ndodhur në aksin rrugor Lezhë-Mamurras, në afërsi të mbikalimit të Patokut, ku një makinë është përplasur me patrullën e policisë, duke sjellë edhe lëndimin e efektivit. Ky i fundit ndodhet për mjekim në urgjencën e Laçit, me dëmtime të lehta nga aksidenti. Pritet që të largohet nga urgjenca dhe të tregojë si ka ndodhur aksidenti. Siç shihet nga pamjet e siguruara nga ABC, makina që ka përplasur patrullën e policisë është kthyer përmbys.
“Automjeti me drejtues shtetasin Gj.B., është përplasur me mjetin e Policisë Rrugore Lezhë, ku si pasojë ka marrë dëmtime të lehta punonjësi i Policisë shtetasi A.T“, thotë policia.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të shkakut dhe rrethanave të ngjarjes. Kujtojmë se ky është aksidenti i katërt i ndodhur ditën e sotme në vendin tonë. be.k/abcnews.al