Një automjet është përfshirë nga flakët teksa ishte në lëvizje në autostradën Durrës–Tiranë. Ngjarja është regjistruar pak minuta më parë dhe ka shkaktuar shqetësim tek drejtuesit e tjerë të mjeteve që po qarkullonin në këtë aks.
Sipas informacioneve paraprake, drejtuesi i automjetit ka konstatuar fillimisht se nga pjesa e përparme e mjetit po dilte tym, ndërsa pak çaste më vonë makina është përfshirë nga flakët.
Ai ka reaguar menjëherë duke devijuar automjetin në anë të autostradës dhe ka dalë prej tij në kohë, duke shmangur kështu pasoja më të rënda. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat zjarrfikëse dhe efektivë të policisë, të cilët kanë ndërhyrë për të vënë situatën nën kontroll.
Fillimisht është bërë i mundur lokalizimi i flakëve dhe më pas shuarja e plotë e zjarrit, ndërsa zona është siguruar për të shmangur rrezikun për automjetet e tjera që kalonin në autostradë. Burime nga policia bëjnë me dije se dyshohet që shkak i incidentit të ketë qenë një shkëndijë elektrike në automjet, e cila ka sjellë përhapjen e flakëve brenda pak minutash.
Megjithatë, grupi hetimor po punon për të përcaktuar me saktësi shkaqet dhe rrethanat e plota të ngjarjes. Fatmirësisht, nga incidenti nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet janë vetëm materiale.


