VIDEO/ Lukacz Bole, Plaku e Simonovski: Tre sulmues për Superioren

schedule08:38 - 29 Gusht, 2020

schedule 08:38 - 29 Gusht, 2020

Sulmues kërkojnë të gjithë dhe përjashtim nuk mund të bëjnë as Teuta, Partizani e Vllaznia. Durrsakët, që kaluan një raund në Europa League i janë rikthyer një piste të vjetër merkatoje. Objektiv i “Djemve të Detit” është sulmuesi Sebino Plaku.

Pas një eksperience mes Llapit dhe Gjilanit në Kosovë, sulmuesi është pranë rikthimit në Superiore dhe ka konfirmuar në një deklaratë të dhënë për “IndeksiOnline” se po bisedon për transferimin te Teuta.  Sigurisht te durrsakët shkon si lojtar i lirë.

VLLAZNIA – Në Shkodër kërkojnë sërish lojtarë për sulmin. Një ditë më parë është zyrtarizuar Christopher Mandiangu, ndërkohë që në skenë ka dale edhe Marko Simonovski. Maqedonasi, 28 vjeç, sezonin e fundit e ka mbyllur me Voluntari dhe ka shënuar 4 gola në 19 ndeshje (12 titullar).

Sezonin më të mirë e ka regjistruar me Lahti, në Finlandë, kur shënoi 13 gola në 32 ndeshje. Sulmuesi ka luajtur edhe me Sepsi në Rumani, si dhe me Shakhter Karagandy e Zhetysu në Kazakistan. Në Maqedoni Simonovski ka qenë pjesë e Napredak dhe Metalurg, ndërkohë që ka provuar edhe eksperienca në Kroaci me Hajduk Split dhe në Rusi me Amkar.

PARTIZANI – Të kuqtë kanë shpresa për zhbllokimin e merkatos dhe kështu po bisedojnë me një sulmues me eksperiencë. Lukacz Bole është emri që “Panorama Sport” e ka publikuar si një objektiv të Partizanit, madje raportojnë se ai ka mbërritur në Tiranë dhe bisedimet kanë nisur.

Gjashtë muajt e fundit Bole ishte pjesë e Zalaegerszegi TE në Hungari, ku Ferencvaros e kishte huazuar. Tre gola të shënuar në 11 ndeshje, ndërkohë që në të shkuarën ai ka luajtur Kaposvari Rakaczi në vendlindje si dhe në Rumani me Politehnica Iasi.

Me këta të fundit ka regjistruar sezonin më të mirë sa i takon aspektit të golave. Në sezonin 2016/2017 ai ka shënuar nëntë gola, në 32 ndeshje të luajtura si titullar. Tani mund të provojë një eksperiencë të re me Partizanin, nëse palët bien dakord dhe merkato e të kuqve zhbllokohet. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!