Liverpool luajti sot në transfertë përballë Sheffield United, sfida hapëse e javës së shtatë në Premier League. Të kuqtë triumfuan ngushtë 0-1, por nuk tregoi për asnjë moment një formë të mirë. Madje,e dhe goli i Wijaldum ishte “dhuratë”, pasi portieri Henderson bëri një gafë të pafalshme.
Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 0-0, me Sadio Mane që humbi dy raste të pastra. Sulmuesi senegalez nuk u duk në një ditë të mirë. Edhe në pjesën e dytë, Liverpool nuk bindi në lojë, madje rastet më të pastra i kishte Sheffield.
Gjithsesi, në minutën e 70-të, Wijaldum i kalon në avantazh të besuarit e Jurgen Klopp. Një goditje pa shumë pretendime e mesfushorit holandez arrin të gjejë fundin e rrjetës, ndihmuar dhe nga një gabim trashanik i portierit vendas. Ky gol i dha triumfin e shtatë radhazi në Premier League Liverpoolit, që ruan i vetëm kryesimin në kuotën e 21 pikëve.
Premier League, java 7
Sheffield United – Liverpool 0-1
Wijnaldum 70’