VIDEO/ Lebron James i papërmbajtshëm, shënon 46 pikë në Cleveland

schedule14:58 - 26 Janar, 2021

schedule 14:58 - 26 Janar, 2021

Lebron James ishte në formë të shkëlqyer ndërsa u kthye në qytetin e tij të Klivlendit. Shënoi 46 pikë në fitoren e Lakers me rezultatin 115-10, një nga shifrat më të larta në karrierë

U bënë dy vjet që është larguar dhe kjo ishte vetëm vizita e dytë.  LeBron James nuk mund të jetë shpesh në qytetin e tij të dashur, Cleveland, për më tepër nga pandemia e koronavirusit që anuloi ndeshjen e vjetshme, por ai e ktheu në forcë mallin e madh që e kishte marrë.

Rreth 2 000 tifozët në Arenë (nga 18 000 kapacitet) e pritën shumë mirë heroin e tyre të dikurshëm, mjaft prej të cilëve me fanella të Lakers me numrin 23, ndërsa James luajti si profesionist, duke lënë mënjanë ndjenjat në fitoren 115-108.

Shënoi 46 pikë, shifra më e lartë e sezonit për të dhe një nga më të lartat në karrierë, duke treguar se mbetet “Mbret” edhe në moshën 36-vjeçare.  Sidomos shkëlqeu në periodën e katërt me 21 pikë, dhe përqindja e realizimit ishte shumë e mirë, 73 për qind në total nga loja dhe 64 për qind për tri pikë.

Gjiganti i basketbollit ka tani 33 644 pikë në karrierë, duke iu afruar gjithnjë e më shumë Karl Malone që është shënuesi i dytë më i mirë në historinë e NBA-së. Ai pati edhe 8 topa në tabela, 6 asiste, si dhe 2 vjedhje topi e 2 bllokime gjuajtjesh. Anthony David pati më pak punë këtë herë duke shënuar vetëm 17 pikë.

“Pata një drekë të gatuar nga mamaja ime, – tha ylli i Lakers para ndeshjes, – është gjithnjë bukur të jesh në shtëpi, në parajsën time. Kam kaq shumë kujtime në këtë qytet ku kam luajtur për 11 vjet. Gjithsesi, pati një moment jo të mirë ku një pjesëtar i stafit të Cleveland u gëzua shumë që unë gabova një gjuajtje për tri pikë. Fati i tij është që unë vij këtu vetëm një herë në vit”.

Tashmë Lakers kanë bilancin 10-0 jashtë fushe, duke luftuar për kreun e Konferencës Perëndimore me “kushërinjtë” e Clippers. Skuadra e LeBron ka 14 fitore e 4 humbje, ndërsa ajo e Leonard është shumë pranë me 13 fitore e 4 humbje./ abcnews.al