VIDEO | Lazio shpartallon Sampdorian, tifozët tallen me Zaniolon

schedule16:54 - 18 Janar, 2020

schedule 16:54 - 18 Janar, 2020

Lazio nuk ka ndërmend të ndalet. Ekipi i Simone Inzaghit korri një tjetër fitore, teksa shpartalloi në shtëpi Sampdorian me rezultatin e thellë 5-1. Ciro Immobile shënoi një tregolësh dhe tani numëron plot 23 gola të realizuar në Serie A.

Vendasit e nisën në sulm ndeshjen dhe shënuan tre gola brenda 20 minutave të para. Felipe Caicedo zhbllokoi ndeshjen në minutën e shtatë dhe Ciro Immobile shënoi dy të tjerë brenda tre minutave. Braziliani Bastos shënoi të katërtin në pjesën e dytë, përpara se Immobile të kthente në gol penalltinë e dytë.

Polaku Linetty shënoi golin e nderit për ekipin e Ranierit, që e mbylli ndeshjen me dhjetë lojtarë pas daljes me të kuqe të Chabot në minutën e 74-t. Kjo ishte fitorja e 11-të radhazi në kampionat për Lazion që ngjitet në kuotën e 45 pikëve, tre më pak se Juventusi dhe një më pak se Interi i vendit të dytë.

Në stadium nuk munguan koret ndaj Nicolo Zaniolos, mesfushorit të “armiqve” të Romës. 20-vjeçari i talentuar u dëmtua rëndë në ndeshjen ndaj Juventusit dhe ka mbyllur sezonin, ndërsa tifozët lacialë filluan të këndonin: Zaniolo kërce me ne. /abcnews.al

Lazio – Sampdoria 5-1
(Caicedo 7′, Immobile (pen) 17′, 20′, (pen) 65′ Bastos 54′ / Linetty 70′)

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!