VIDEO | Lazio ia del në shtesa, festojnë edhe Roma me Veronën

schedule16:55 - 24 Nëntor, 2019

schedule 16:55 - 24 Nëntor, 2019

Një gol i Felipe Caicedos në minutat shtesë i dhuroi tre pikë shumë të rëndësishme Lazios dhe fitoren e pestë radhazi në kampionat. Bardhekaltrit kanë si objektiv kualifikimin në Champions League, janë në rrugën e duhur dhe renditën në vend të tretë me 27 pikë.

I zakonshmi Immobile zhbllokoi ndeshjen pas gjysmë ore lojë. Aksion i bukur i miqve, teksa portierit të Sassuolo si rrëshqiti topi nga duart. Vendasit reaguan dhe barazuan në minutën e fundit të pjesës së parë.

Caputo u harrua në zonë dhe nuk e pati të vështirë të mposhtë Thomas Strakoshën. Pjesa e dytë ishte e ekuilibruar, por në fund vendosi kualiteti i ekipit të Inzaghit. Caicedo kombinoi bukur me Luis Alberton dhe shënoi golin e triumfit në minutën e parë shtesë.

Romës i mjaftuan 27 minuta për t’i shënuar tre gola Brescias dhe për t’u rikthyer te fitorja pas humbjes në Parma. Miqtë rezistuan në pjesën e parë, por e dyta nisi furishëm për ekipin e Fonsecës.

Mbrojtësit Smalling dhe Mancini i dhuruan avantazhin e dyfishtë Romës, teksa Edin Dzeko vulosi fitoren me golin e shënuar në minutën e 66-të. Kjo fitore i ngjit verdhekuqtë në vend të katërt me 25 pikë, dy më pak se “armiqtë” e Lazios. Emanuele Ndoj e nisi si titullar (ndeshja e parë si titullar në Serie A), por u zëvendësua pas një ore lojë.

Feston edhe Verona. Marash Kumbulla nuk është rikuperuar ende, ndërsa Amir Rrahmani luajti gjatë gjithë ndeshjes. Goli i Di Carmines në mesin e pjesës së dytë vendosi ndeshjen kundër Fiorentinës. Aksioni i bukur i vendasve u konkretizua me golin e qendërsulmuesit. Kjo fitore bën që Verona të parakalojë ekipin nga Firence në renditje. /abcnews.al

Roma-Brescia 3-0
(Smalling 49′, Mancini 57′, Dzeko 66′)

Sassuolo-Lazio 1-1
(Caputo 45′ / Immobile 34′)

Verona-Fiorentina 1-0
(Di Carmine 66′)

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!