Milani humbi një shans të artë për t’iu afruar vendit të katërt. Kuqezinjtë nuk ia dolën të siguronin fitoren e katërt radhazi në Serie A dhe ngecën në shtëpi përballë Veronës, që regjistroi ndeshjen e gjashtë pa humbje.
Verona kaloi e para në avantazh në “San Siro”. Davide Faraoni përfitoi nga një kros i Zaccagni në minutën e 13-të dhe kaloi miqtë në avantazh. Ekipi i Piolit reagoi shpejt dhe barazoi shifrat me anë të Hakan Calhanoglu. Turku ekzekutoi një goditje dënimi, topi u devijua nga muri i Veronës dhe përfundoi në rrjetë.
Miqtë mbeten me një lojtar më pak në mesin e pjesës së dytë pas largimit me të kuqe të Sofyan Amrabat. Vendasit u hodhën në sulm në kërkim të golit të fitores, me ekipin e parë debutoi edhe Daniel Maldini, por ekipi i Kumbullës dhe Rrahmanit rezistoi dhe mori një pikë me vlera në këtë transfertë.
Lazio nuk mund të gabonte përballë Spal dhe ashtu ndodhi. Bardhekaltrit shkatërruan ekipin e Berishës me rezultatin 5-1 dhe renditen përkohësisht në vend të dytë. Ciro Immobile (është ngjitur në shifrën e 25 golave në kampionat) dhe Felipe Caicedo shënuan nga dy gola në pjesën e parë dhe vulosën fitoren e ekipit të Inzaghit. I riu Adekanye gjeti golin e parë në Serie A në pjesën e dytë, ndërsa Missiroli shënoi golin e nderit për miqtë.
Gola, spektakël, por asnjë fitues në Bergamo. Atalanta dhe Genoa shënuan nga dy herë në pjesën e parë dhe e gjithë ndeshja u mbyll me këtë rezultat. Valon Behrami la miqtë me dhjetë lojtarë në minutën e 83-të (kartoni i dytë i verdhë), ndërsa Berat Gjimshiti e zhvilloi të plotë takimin për ekipin bergamask. /abcnews.al