VIDEO/ Kukësi fiton “duelin e mbijetesës”, Egnatia “gjunjëzon” Laçin në transfertë

schedule15:03 - 11 Shkurt, 2023

schedule 15:03 - 11 Shkurt, 2023

Kanë përfunduar 2 ndeshjet e para të javës së 21-të, të Kategorisë Superiore, ku Kukësi ka fituar me rezultatin minimal 1 me 0, “duelin e mbijetesës”, përballë Kastriotit, ndërsa Egnatia është rikthyer te fitorja pas më shumë se 1 muaji e gjysmë, duke mundur Laçin brenda në shtëpi po me rezultatin 0 me 1.

Kukësi dhe Kastrioti u përballën për 3 pikë të vlefshme për mbijetesën në Kategorinë Superiore e megjithatë pjesa e parë ishte e vakët, me të dy ekipet që u munduan në pak raste të shënonin dhe ato raste nuk ishin konkrete. Verilindorët arritën të “thyenin” mbrojtjen “krutane” vetëm në minutën e 49’-të, ku Basha me një goditje diagonale brenda në zonë “mposht” portierin Malaj dhe vulos fatet e sfidës.

Në krahun tjetër “kurbinasit” e Laçit u “shtangën” brenda në shtëpi nga Egnatia, e cila u rikthye te fitorja që pas asaj fitoreje të 22 dhjetorit kundra Kastriotit. Një gol i lituanezit Paulauskas në minutën e 23’-të ishte i mjaftueshëm për “rrogozhinasit” për t’i dhënë një goditje “knock-out”-i, “kurbinasve”.

Pas këtyre 2 përballjeve renditja e skuadrave ka ndryshuar goxha. Kukësi ka dalë nga zona e ftohtë, teksa ka arritur në kuotën e 25 pikëve, duke u pozicionuar në vendin e 7-të me 5 pikë më shumë se Kastrioti i vendit të fundit.

Ndërkaq, Laçi ka mbetur sërish në vendine 6-të me 29 pikë, ndërsa Egnatia ka parakaluar “kurbinasit”, por edhe Erzenin duke u pozicionuar kështu në vendin e 4-t, me plot 30 pikë vetëm 7 më pak se kryesuesit e Tiranës dhe vetëm 1 pikë më pak larg zonës së Kupave të Evropës. /i.m /abcnews.al 

SHIKONI GOLAT: 

Kukësi 1 – 0 Kastrioti

Basha 49′

Laçi 0 – 1 Egnatia

Paulauskas 23′

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!