Ukraina në çerekfinalet e EURO 2020, pas triumfit dramatik me rezultatin 2-1 kundër Suedisë. I pret Anglia në raundin tjetër, por skuadra e Shevchenkos përmomentin gëzon këtë kualifikim, që pati një hero: Dovbyk.
Në minutën e 121-të ai shënoi golin e fitores dhe të kualifikimit, ndërkohë që në 90 minuta kishin realizuar Zinchenko për Ukrainën dhe Forsberg për Suedinë.
KOHA E RREGULLT – Spektakël në Suedi-Ukrainë, edhe pse shumëkush mund të ketë zgjedhur të mos e ndjekë këtë ndeshje për shkak të emrit të këtyre kombëtareve. Dueli nisi me një rast të mirë shënimi për djemtë e Shevchekos.
Yaremchuk nuk shënoi dot në minutën e 11-të, por goli nuk vonoi. Zinchenko i Manchester City (27′) me një goditje të fortë brenda zone e çoi topin në rrjetë. Suedia nuk mund të pajtohej me rezultatin dhe ia doli të barazonte në fundin e pjesës së parë.
Emil Forsberg goditi nga distanca dhe topi pas një devijimi kaloi vijën fatale dhe shifrat u barazuan në 1-1. Goli i dha zemër Suedisë, që në pjesën e dytë ishte edhe më e rrezikshme. Isak i vetëm me portierin nuk shënoi dot.
Kulusevksi gjithashtu rrezikoi me një gjuajtje potente, sikurse edhe Forsberg. Sulmuesi u ndal nga traversa, kurse nga ana tjetër në një moment u shfaq rrezikshëm Yarmolenko. Pavarësisht rasteve, koha e rregullt u mbyll 1-1.
SHTESA – Lodhja ndihej te të dyja skuadrat, ndërkohë që Suedia duhet të vuante edhe ndëshkimin me karton të kuq të Danielson në minutën e 98-të. VAR ndihmoi arbitrin për ta ndëshkuar mbrojtësin nordik.
Ukraina e zotëroi topin gjatë minutave të tjera të shtesave 15-minutëshe dhe me Malinovsky iu afrua në fund golit të avantazhit dhe fitores. Skuadra e Shevës nuk u dorëzua dhe në minutën e 121-të shënoi me Dovbyk, i cili me kokë realizoi dhe për Suedinë nuk kishte më kohë. /abcnews.al