VIDEO/ “Klasikja” i takon “bavarezëve”, Tuchel fshin “të kaluarën” në debutim

schedule20:23 - 1 Prill, 2023

schedule 20:23 - 1 Prill, 2023

Thomas Tuchel ka treguar “dhëmbët” në debutimin e tij me “bavarezët”, teksa në “klasiken” gjermane kundra Borussia Dortmund ka “shpërfytyruar” këta të fundit me rezultatin e thellë 4 me 2, në përballjen e vlefshme për javën e 26-të të Kampionatit gjerman të futbollit, Bundesliga.

Fitorja e vendasve në “Allianz Arena” u vendos që në pjesën e parë, ku fillimisht një gafë e portierit zviceran, Gregor Kobel zhbllokoi sfidën në minutën e 13’-të e më pas një dopietë e “veteranit” Thomas Muller e çoi rezultatin në 3 me 0, pas vetëm 10 minutash duke e nxjerrë komplet “të pavlefshëm”, portierin “helvet”.

Mirëpo, nuk do të mbaronte me kaq, rezultati u thellua në 4 me 0 nga francezi i sulmit “bavarez”, Kingsley Coman, ndërsa golat “e nderit” për “verdhezinjtë” erdhën nga turko-gjermani i mesfushës së Dortmund, Emre Can, i cili me një goditje potente nga pika e bardhë e penalltisë mposhi portierin Yann Sommer, si dhe “tulipani” i Kombëtares hollandeze Donyell Malen, në minutat 72’ dhe 90’.

Me këtë rezultat Bayern Munich rimerr vendin e parë në renditjen e Bundesliga, teksa ka shkuar në kuotën e 55 pikëve, 2 më shumë se Borussia Dortmund e vendit të 2-të, ku ndeshjet e radhës për të dyja ekipet do të jenë në Kupën e Gjermanisë, “DFB Pokal”, ku do të ndeshen respektivisht ndaj Freiburg dhe RB Leipzig, më 4 dhe 5 prill. /i.m /abcnews.al 

SHIKONI GOLAT: 

Autgoli i Gregor Kobel, 1-0:

Goli i Thomas Muller, 2-0:

Goli i Thomas Muller 3-0:

Goli i Kingsley Coman, 4-0:

Goli i Emre Can 4-1:

Goli i Donyell Malen 4-2:

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!