VIDEO/ Kaos pas Atletico MG-Boca: Sherr i madh në Libertadores, ndalohen 8 persona

schedule10:39 - 21 Korrik, 2021

schedule 10:39 - 21 Korrik, 2021

Ndeshjet latine, sidomos ato braziliano-argjentinase, dhurojnë gjithmonë gjithçka: duele të forta, emocione, koka të nxehta, tension, përplasje dhe kaos. Kështu ka ndodhur edhe pas përfundimit të ndeshjes së dytë të raundit të 1/8-vë në Libertadores mes Atletico MG dhe Boca Juniors.

Sfida e parë e luajtur në Argjentinë nuk prodhoi gola, ashtu si edhe takimi i kthimit. Penalltitë i buzëqeshën Atletico MG, që siguroi një kualifikim dramatik në fazën çerekfinale. Në fund shpërtheu një sherr i madh.

Lojtarët e skuadrës mike, të cilët ishin të zhgënjyer nga eliminimi, janë përplasur me forcat e sigurisë. Shkaku i trazirave ishte kryesisht tensioni i madh i grumbulluar nga lojtarët gjatë ndeshjes. VAR-i anuloi një gol të Boca Juniors, çka solli zemërimin e lojtarëve “Xeneizes”.

Sipas medieve të Amerikës së Jugut, përplasjet e para nisën midis lojtarëve të klubit argjentinas dhe oficerëve të sigurisë së stadiumit, ndërsa më pas filloi një sherr i vërtetë dhe i dhunshëm, ku u përfshinë edhe stafi i brazilianëve, përfshirë presidentin e Atletico MG.

Ndërhyrja e policisë ushtarake solli ndalimin e tetë pjesëtarëve të Boca. Mes tyre lojtarë dhe anëtarë të stafit teknik, por falë ndërhyrjes diplomatike u evitua arrestimi i tyre. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!