Mund të ketë qenë një shaka, por boksierit Billy Joe Saunders po i kushton shumë. Britaniku postoi një video në Instagram, ku shfaqej duke dhënë leksione se si të godisnin gratë në rast se do të flisnin shumë gjatë periudhës së qëndrimit në karantinë.
British Boxing Board of Control nuk ka falur dhe e ka pezulluar 30-vjeçarin. “Duke pasur parasysh komentet e bëra nga Billu Joe Sanders në rrjetet sociale, ne i kemi pezulluar licencën boksierit, në pritje të një seance dëgjimore”, shkruan BBBofC në një deklaratë të publikuar së fundmi.
Reagimi i Saunders ishte i menjëhershëm, teksa kërkon falje dhe zbulon se ka marrë kërcënime me vdekje. “Po marr shumë mesazh që më urojnë vdekjen mua, familjes dhe fëmijëve të mi. Unë kam një vajzë vetë dhe nëse dikush ia bën diçka të tillë vajzës time, do ta lëndoja keq”.
Videoja e publikuar nga Saunders është konsideruar e papranueshme, madje edhe nga promotori i tij, Eddie Hearn. Britaniku është kampion bote në peshat e mesme dhe deri më tani është i pamposhtur në 29 duele të zhvilluara.
Saunders ka premtuar se do të dhurojë 25 mijë sterlina për luftën kundër dhunës në familje, për të treguar edhe njëherë se ai nuk e mbështet diçka të tillë dhe se videoja e tij ka qenë thjesht një shaka, që ai nuk do të kishte dashur kurrë të interpretohej sikurse po ndodh. /abcnews.al