Katër të arrestuarit si të akuzuar për atentatin e dështuar ndaj biznesmenit Andon DHima, kanë dalë ditën e sotme përpara e Gjykatës së Tiranës, ku do të njihen me masën e sigurisë.
Bashkëshortja e Grid Lenos dhe motra e Mariglen Matohiti, Greta Matohiti, deklaroi se ka postuar në faqen e saj të facebook-ut, një video, ku shihen bashkëshorti i saj dhe vëllai, që marrin pjesë në një festë familjare, në orën dhe kohën, kur është tentuar të kryhet atentat biznesmenit Andon Dhima.
Sipas saj, në video shihet se vëllai i saj, Mariglen Matohiti është kamarier dhe është me pjata në duar duke shërbyer.
LEXO edhe: Atentati i dështuar ndaj biznesmenit Dhima, familjarët e të arrestuarve hedhin poshtë akuzat
Greta Matohiti, deklaroi për mediat se dy të afërmit e saj, nuk kanë asnjë lidhje me atentatin e dështuar të biznesmenit Andon Dhima, dhe se nuk e njohin atë.
“Kam nxjerrë në faqen time të facebook një video ku shihet se në atë moment burri im dhe familjarë të tjerë kemi qenë në një ditëlindje ndërsa vëllai im ka qenë aty kamarier. Ai ka qenë në lokal duke punuar. Videot i kam parë kur kam qenë në komisariat, dhe në atë orë ata kanë qenë në lokal ku ka patur edhe 20 dëshmitarë të tjerë. Jam shumë e prekur se i kanë nxjerrë si vrasës të paguar.
Grid Leno ka qenë 17 vjeç kur është dënuar në Gjermani dhe ka paguar për këtë, ata nuk kanë asnjë lidhje me Andon Dhimën. Policët kanë ardhur në restorant, i kanë marrë fëmijën nga dora dhe e kanë qëlluar me çelësa.
Kam lënë fëmijën 2 vjeç ndërsa isha në rajon se më futën në statusin e të dyshuarës, më thoshin se do më arrestonin si bashkëpunëtore dhe fëmijën do ja kalonin jetimores, çfarë janë këto, ju duken normale?
Ne merremi me restorantin që kemi, bashkëshorti im është gjithë kohën sport dhe fëmija dhe restoranti ndërsa vëllai im punon kamarier aty. Asgjë nga policia nuk është e vërtetë. Videon që kam nuk e kanë marrë ende si material hetimor.
Unë kam bërë të pamundurën për të folur për mediat dhe ti paraqisja këto video dhe nuk kanë pranuar. Vëllai dhe burri im nuk e njohin fare, nuk kanë lidhje fare. I bëj thirrje zotit Dhima, nëse pranon, unë e takoj dhe dua ta pyes, se ç’lidhje ka më këta të dy? Ai nuk ka faj se ndihet i kërcënuar, por atentatorët e pretenduar mund ti ketë akoma jashtë”, deklaroi ajo.
n.d./abcnews.al