VIDEO/ Ibra ëngjell dhe djall, Interi përmbys Milanin dhe kap gjysmëfinalet

schedule22:53 - 26 Janar, 2021

schedule 22:53 - 26 Janar, 2021

Interi ka mundur të mundë Milanin me përmbysje me shifrat 2-1 dhe të kualifikohet në gjysmëfinale të Kupës së Italisë pas një ndeshje shumë të bukur me plot episode pikante.

Pjesa e parë nisi e qetë për të dy ekipet. Ishte ndeshje me eliminim direkt dhe një gol i pësuar rendonte shumë. Gjithsesi rrjeta u tund brenda 45 minutave të para dhe ishte Milani, që kaloi në avantazh.

Ibra mori një top në hyrje të zonës dhe gjeti hapësirën e duhur për të synuar cepin e portës, duke tundur rrjetën pasi sfera qe përplasur në shtyllë. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e kuqezinjve, por aspak e qetë.

Ibra dhe Lukaku, pasi shkëmbyen fjalë mes tyre u përplasën fizikisht dhe u desh ndërhyrja e lojtarëve dhe stafeve për të qetësuar gjakrat. Gjyqtari i ndëshkoi të dy me karton të verdhë.

Ndërkohë, në nisje të pjesës së dytë ndodhi e papritura sepse Ibra u ndëshkua me të dytin e verdhë pas një ndërhyrje nga mbrapa ndaj Kolarov.

Pas daljes së suedezit nga loja, Interi mori kontrollin e lojës dhe vizitoi rregullisht portën e Tatarusanu. Në minutën e 71-të presioni i zikaltërve në zonën e kuqezinjve u shpërblye me një penallti.

Golat e INTER-MILAN

Barella bër një finte në kufirin e djathtë të zonës dhe mori një pengim nga Leao. Gjyqtari e pa në VAR dhe akordoi penallti për Interin. Lukaku e mori përsipër dhe shënoi, pasi goditi fillimisht tranversën. Edhe në pjesën e mbetur të ndeshjes Interi vazhdoi të presojë lart dhe të rrezikojë, i ndihmuar nga epërsia numerike.

Në minutën e 77 ndodhi një tjetër episod i pazakontë, arbitri kryesor Paolo Valeri u dëmtua dhe iu desh të linte fushën për shkak të një tërheqje muskulore, teksa u zëvendësua nga gjyqtari i katërt, Daniele Chiffi.

Interi dominoi në pjesën e mbetur dhe ndërtoi sulme të njëpasnjëshme në portën e Milanit, teksa ishte Christian Eriksen heroi i kësaj sfide. Mesfushori gjeti golin e kualifikimit në gjysmëfinale, duke vulosur shifrat në 2-1 në minutën e 7 shtesë të ndeshjes me goditje dënimi të ekzekutuar në mënyrë perfekte. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!