Herën e fundit kishte ndodhur tek femrat, madje edhe më shëmtuar. Gjithsesi, ajo që ndodhi në stadiumin e Partizanit ishte gjithashtu një njollë për imazhin e futbollit shqiptar. Siç ndodh shpesh në këtë lojë, mjafton një shkak banal që gjithçka të dalë nga kontrolli.
Lojtarë të ekipeve U19 të Partizanit e të Vllaznisë u përfshinë në një konflikt masiv fizik, deri edhe me grushta. Një ndërhyrje e rëndë, një reagim i pamenduar dhe direkt në kacafytje. Edhe pse nuk degjeneroi deri në ndërprerje të ndeshjes, sërish konflikti ishte i turpshëm dhe tronditës.
U desh ndërhyrja e rojeve të sigurisë që ndodheshin në stadiumin e klubit kryeqytetas, që gjithçka dalë nga dalë të qetësohej. Arbitri përjashtoi 6 lojtarë me kartonë të kuq, nga tre për çdo skuadër, dhe të vendasit e shkodranët e mbyllën ndeshjen me nga 8 futbollistë. Dhuna ndodhi në sekondat e fundit në “Arenën e Demave”, ku Partizani po fitonte 5-0 në ndeshjen e vlefshme për kampionatin kombëtar U19. /i.m /abcnews.al