Mërgim Mavraj vazhdon të luajë në nivele të larta dhe të tregojë se ka ende për të dhënë në futbollin elitar. Sot ai ishte vendimtar për Greuther Furt në ndeshjen e Bundesliga 2 ndaj Regensburg.
Ish-mbrojtësi i kombëtares sonë u tregua i dobishëm edhe në sulm, teksa dha një asist në zhvillimet e një goditje këndi. Ai i dha devijimin e duhur sferës, aq sa për ta dërguar te shoku i tij i skuadrës, Jaeckel, i cili tundi më pas rrjetën.
34-vjeçari këtë sezon po luan titullar vazhdimisht dhe është një nga pikat kyçe të Greuther Furth, e cila ndeshjen e sotme e fitoi me shifrat 3-1 dhe renditet e dyta në Bundesliga 2, duke qenë favorite për ngjitjen në elitë.
Në vendin e parë është Hamburgu i Klaus Gjasulës, duke e shndërruar edhe në një duel mes shqiptarësh ngjitjen në Bundesligan e sezonit të ardhshëm. /abcnews.al