Tre futbollistët shqiptarë që luajnë me Lok. Zagreb, Myrto Uzuni, Jon Mersinaj dhe Enis Çokaj, shfrytëzuan rrjetet e tyre sociale pas fitores ndaj Goricës, për të shprehur ngushëllimet e tyre për familjet e viktimave për shkak të tërmeteve në Shqipëri.
Uzuni shkroi: “Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqiptar! Gjatë këtyre ditëve të vështira që po kalon vendi jonë, kuptojmë sa të pafuqishëm jemi përballë nënës natyrë. Kuptojmë sa e rëndësishme është jeta, dashuria që i falim njëri- tjetrit, sa shumë shpresë që kemi brenda vetes në momentet kur gjithçka tenton të përmbyset në vetëm pak sekonda.
Nuk jemi të përjetshëm, por kurrsesi nuk mund të jemi dhe kaq të përkohshëm. Dhimbje e madhe për gjithë shqiptarët për jetët e humbura, trishtim për situatën e vështirë që po kalon ky vend. Rikuperimi është i vështirë por jo i pamundur. Solidarizimi i pakufi nga të gjithë bashkëkombësit tanë na mbushi zemrën plot, duke na treguar që nuk kemi qenë e nuk do jemi kurrë vetëm.
Nëse ka diçka të rëndësishme që të gjithë duhet të kuptojmë nga ngjarje të tilla është të BESOJMË fort, të MBËSHTESIM këdo, t’i japim VLERË e kuptim çdo momenti të jetës! Jemi të gjithë bashkë për 1 qëllim, për Shqipërinë tonë! Goli për ty Shqipëria ime, që po vuan në këto ditë festash!”
Mersinaj shkroi: “Lutjet tona shkojnë për popullin shqiptar dhe te gjithë të prekurit nga fatkeqësia e disa ditëve me parë”.
Çokaj shkroi: Mendjen dhe zemrën e kemi tek atdheu ynë në këtë kohë të vështirë. I lutemi Zotit që ditë më të mira të vijnë për Shqipërinë tonë!”/abcnews.al