Finalizohet operacioni policor i koduar “Crossborder line”.
Policia e Gjirokastrës goditi një rrjet të trafikut të drogës drejt Greqisë, duke arrestuar 6 persona dhe shpallur në kërkim 5 të tjerë.
Sipas policisë anëtarët e rrjetit akuzohen se të organizuar si grup kanë trafikuar lëndë narkotike marijuane drejt Greqisë, si dhe kanë ndihmuar disa grupe emigrantësh për të kaluar ilegalisht kufirin Greqi-Shqipëri, kundrejt pagesës.
Policia tha se hetimi për këtë grup, të shtrirë në disa zona të Shqipërisë, është kryer për më shumë se një vit.
Gjatë hetimeve të kryera për të dokumentuar veprimtaritë kriminale të këtyre shtetasve, janë sekuestruar shuma të konsiderueshme vlerash monetare, municion luftarak, celularë, automjete, dokumente të falsifikuara etj.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.