VIDEO/ “Gara për ti shpëtuar policisë”, “rrugorja” arreston 30 vjeçarin

schedule13:00 - 20 Dhjetor, 2019

schedule 13:00 - 20 Dhjetor, 2019

Policia Rrugore e Tiranës njofton se ka arrestuar një person të shpallur në kërkim për vjedhje dhe kalim të paligjshëm të kufirit.

Arrestimi i 30 vjeçarit u bë e mundur pasi ky i fundit po kryente manovra të rrezikshme në rrugën “Teodor Keko”. Policia menjëherë ishte vënë në ndjekje të personit por edhe pse ai kishte tentuar ti largohej me shpejtësi policisë kjo e fundit kishte mundur të ndalonte 30 vjeçarin.

Pas verifikimeve nga ana e policisë rezultoi se 30 vjeçari ishte në kërkim nga policia e Tepelenës për vjedhje, dhe nga policia e Korçës për kalim të paligjshëm të kufirit.

30 vjeçari tashmë do të vihet nën përgjegjësi përpara autoriteteve shqiptare për vjedhje, kalim të paligjshëm të kufirit si dhe shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Njoftimi i policisë:

Policia Rrugore e Tiranës, në përmbushje të detyrës për parandalimin e aksidenteve rrugore, menaxhimin e trafikut dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor, në zbatim dhe të detyrave të përcaktuara në planin e masave për shtimin e kontrolleve për kapjen e personave në kërkim apo atyre që qarkullojnë me armë, si dhe për goditjen e trafiqeve të paligjshme që mund të zhvillohen me automjete, ka shtuar kontrollet ndaj mjeteve të dyshuara për këto vepra penale.

Nga kontrollet parandaluese, efektivët e Policisë të Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë kanë marrë informacion se në rrugën “Teodor Keko” një automjet po bënte manovra të rrezikshme dhe menjëherë i janë vënë në ndjekje. Edhe pse drejtuesi i mjeti theu rregullat e qarkullimit, nuk mundi të largohej, pasi u prangos nga shërbimet e Policisë Rrugore.

Nga verifikimit rezultoi se shtetasi D. C., 30 vjeç, ishte i shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Tepelenë, pasi dyshohet si autori i vjedhjes së një supermarketi në Memaliaj , në nëntor të 2019, si dhe për kalim të paligjshëm të kufirit, shpallur në kërkim nga Policia Kufitare e Korçës, e cila e ka ndëshkuar me masë administrative 100.000 lekë, të cilën ky shtetas nuk e ka paguar.

Njëkohësisht, ky shtetas u ndëshkua edhe me masë administrative nga ana e shërbimeve të Policisë Rrugore për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugore”./abcnews.al