Mjafton një gol i Ciro Immobiles për t’i dhuruar Lazios fitoren e gjashtë radhazi në kampionat. Bardhekaltrit e Simone Inzaghit janë rikthyer në formën e shkëlqyer të sezonit të kaluar dhe sot mposhtën 1-0 Cagliarin në “Olimpico”.
Një ndeshje e vështirë dhe fitore me shumë vlera. Bomberi kryesor i Lazios dërgoi topin në rrjetën sarde pas një ore lojë, duke gjetur golin e 14-të sezonal në Serie A. Vendasit menaxhuan shumë mirë pjesën e mbetur të ndeshjes dhe siguruan tre pikët e radhës.
Lazio ndan vendin e katërt me Romën me nga 40 pikë, teksa Milani i vendit të parë është 9 pikë larg. Sfida e radhës në “San Siro” kundër Interit. Vedat Muriqi u hodh në fushë në minutën e 73-të nga trajneri Inzaghi, ndërsa Thomas Strakosha vijon të jetë i dëmtuar.
Sfida tjetër Parma-Bologna, përfundoi me triumfin 0-3 të ekipit udhëtues. Tre pikë fantastike për djemtë e Mihajlovic. Moment i vështirë për emilianët, të cilët renditen në vend të parafundit në Serie A. /abcnews.al

