VIDEO/ Fitorja s’i mjafton Juves, Porto heroike e nxjerr jashtë Champions

schedule23:43 - 9 Mars, 2021

schedule 23:43 - 9 Mars, 2021

Juventusi fitoi 3-2 përballë Portos, fitore që nuk i mjaftoi bardhezinjve të Andrea Pirlos. Sukses fantastik për skuadrën portugeze, që kualifikohet në çerekfinalet e Champions League pas fitores 2-1 në ndeshjen e parë.

Ndeshje spektakolare dhe plot emocione në Torino, aty ku u luajtën 120 minuta të zjarrta. Porto fitoi një penallti në minutën e 19-të dhe zhbllokoi sfidën. Sergio Oliveira nuk gaboi nga pika e bardhë dhe kaloi ekipin e tij në avantazh.

Kaq për pjesën e parë, teksa pushimi i bëri mirë kampionëve të Italisë. Federico Chiesa realizoi dy gola brenda 14 minutave (49′ dhe 63′), teksa miqtë mbetën me dhjetë lojtarë në minutën e 54-t, pasi Taremi u ndëshkua me të kuq.

 

Juventusi dominoi kundërshtarin, por 90 minutat përfunduan në 2-1 dhe ndeshja shkoi në shtesa. Vendasit nuk e shfrytëzuan superioritetin numerik dhe u befasuan në minutën e 115-të. Sergio Oliveira gjeti golin e dytë personal falë një goditje dënimi fantastike.

“Zonja” reagoi dhe Adrien Rabiot me kokë gjeti rrjetën dy minuta më vonë. Gol shpresë për Juventusin, por Porto rezistoi në minutat e mbetura dhe kaloi në tetë skuadrat më të mira të Evropës falë dy golave jashtë fushe, duke iu bashkuar Dortmundit në çerekfinalet e Champions. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!