Golat e Luis Suarez dhe Arturio Vidal në pjesën e dytë i dhuruan një fitore të rëndësishme Barcelonës në transfertë. Ekipi katalanas përmbysi avantazhin e Leganes, teksa i erdhi në ndihmë edhe teknologjia VAR.
Vendasit zhbllokuan sfidën në minutën e 12-të me anë të En Nesyri. Sulmuesi maroken shënoi një gol shumë të bukur dhe pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-0 për ekipin e vendit të fundit.
Miqtë reaguan në pjesën e dytë dhe gjetën barazimin me anë të Suarez në minutën e 53-të. Sulmuesi uruguaian shfrytëzoi një krosim të Messit, goditi saktë me kokë dhe barazoi sfidën. Barcelona i shtoi sulmet në kërkim të golit të fitores dhe ia doli 11 minuta përpara fundit të ndeshjes.
Arturo Vidal përfitoi nga një goditje këndi dhe dërgoi topin në rrjetë. Gol u anulua për pozicion të parregullt të mesfushorit, por arbitri e cilësoi të rregullt pasi pa pamjet në VAR. Kjo fitore e dërgoi ekipin katalanas në kuotën e 28 pikëve, tre më shumë se Real Madrid që pret në darkë Real Sociedad në “Santiago Bernanbeu”. /abcnews.al
Leganes – Barcelona 1-2
(En Nesyri 12′ / Suarez 53′, Vidal 79′)