VIDEO/ Fitore jashtë fushe për United dhe Romën, Arsenali befasohet në fund

schedule22:59 - 8 Prill, 2021

schedule 22:59 - 8 Prill, 2021

Fitojnë tre skuadra udhëtuese, ndërsa një sfidë përfundon në barazim. Duelet e para të raundit çerekfinal të Europa League, kanë prodhuar 8 gola. Manchester United triumfoi 0-2 në Spanjë përballë Granadës vendase, sukses që erdhi falë golit të Markus Rashford pas gjysmë ore lojë.

Një minutë përpara fundit të ndeshjes erdhi edhe goli i sigurisë për skuadrën angleze. Bruno Fernandes ktheu në gol një penallti. Një rezultat shumë i mirë për djemtë e Ole Gunnar Solskjaer, të cilët kanë hedhur një hap drejt kualifikimit në katër ekipet më të mira të turneut.

Fitore fantastike arriti në Amsterdam edhe Roma, skuadra e vetme italiane që po garon në kompeticionet evropiane. Verdhekuqtë mposhtën 1-2 me përmbysje Ajaxin. “Harkëtarët” e mbyllën në avantazh pjesën e parë falë rrjetës së mesfushorit Klassen. Tadic pati një shans të artë në minutën e 53-të, por kapiteni i Ajax gaboi nga pika e penalltisë.

Pau Lopez priti goditjen e sulmuesit serb, teksa Roma gjeti golin e barazimit katër minuta më vonë. Goditje dënimi e Lorenzo Pellegrini dhe topi në rrjetë edhe falë gafës së portierit vendas. Djemtë e Fonseca ia dolën të gjejnë golin e fitores tre minuta nga fundi i ndeshjes.

Mbrojtësi brazilian, Ibanez realizoi një gol shumë të bukur, duke afruar Romën me gjysmëfinalet. Arsenali u befasua në fund nga Slavia Prague në Londër, sfidë që u mbyll në barazim 1-1. Emocionet ishin ruajtur për në minutat e fundit të ndeshjes.

Pepe kaloi vendasit në avantazh në minutën e 86-të, por ekipi i Peter Olayinka me shokë nuk u dorëzuan dhe evituan humbjen falë golit me kokë të qendërmbrojtësit Holes. Sfida tjetër mes Dinamo Zagreb dhe Villareal, përfundoi 0-1 për skuadrën spanjolle. Villareal fitoi 0-1 në kryeqytetin kroat falë golit me penallti të Gerard Moreno në fundin e pjesës së parë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!