Një incident i çuditshëm po hetohet nga autoritetet indiane pasi një tren mallrash përshkroi më shumë se 70 kilometra pa shofer të dielën. Videot e shpërndara në rrjetet sociale treguan trenin që po kalonte me shpejtësi nëpër disa stacione pa u ndalur.
Sipas BBC, treni pa shofer u nis nga Katua në Jammu dhe arriti në Kashmir në rrethin Hoshiarpur të Punjab, ku treni ndaloi, për fat të mirë pa asnjë të lënduar. Zyrtarët thanë për mediat vendase se incidenti ndodhi midis orës 07:25 dhe 09:00 me kohën lokale.
Treni me 53 vagonë, që mbante gurë, ishte rrugës për në Punjab nga Jammu kur u ndal në Kathua për ndryshim personeli. Pastaj papritmas filloi të lëvizte poshtë pasi shoferi dhe ndihmësi i tij zbritën.
Treni po udhëtonte me një shpejtësi prej afro 100 km/orë dhe arriti të kalonte rreth pesë stacione përpara se të ndalonte. Menjëherë pasi u alarmuan për trenin në lëvizje, zyrtarët mbyllën vendkalimet hekurudhore përgjatë rrugës së tij.
“Treni u ndal pasi një zyrtar hekurudhor vendosi blloqe druri në shina për të ndaluar trenin,” thanë zyrtarët. Blloqet prej druri ndihmuan në ngadalësimin e trenit. Zyrtarët deklaruan se po përpiqen të përcaktojnë arsyen e saktë që treni filloi të lëvizë për të shmangur incidente të tilla në të ardhmen./abcnews.al