Kevin Durant fitoi sfidën me Nikola Jokic në basketbollin amerikan, duke udhëhequr ekipin drejt fitores. Ylli i Brooklyn Nets arriti të dilte fitues përballë lojtarit më të mirë të sezonit.
Ishte një nga ata duele që mezi priten. Dy nga yjet kryesorë të NBA-së u vunë përballë në Nju Jork dhe ishin pikërisht Kevin Durant dhe Nikola Jokic. Tepër të ndryshëm, por edhe tepër të talentuar dhe udhëheqës të skuadrave të tyre.
Durant, që po shikon sezonin e parë pas një dëmtimi të gjatë, ia doli të fitonte sfidën, madje ishte ai që mori me vete Brooklyn Nets për të përmbysur shifrat, ndërsa Denver Nuggets kryesoi me 18 pikë në gjysmën e ndeshjes.
Përfundimi ishte 122-116. Ish-kampioni i dyfishtë në NBA me Golden State Warriors shënoi 34 pikë, shërbeu 13 asiste dhe kapi 9 topa në tabela, duke qenë shumë pranë regjistrimit të “triple double”. Edhe pse e humbi topin pak si shpesh, sërish ylli elegant i Brooklyn u duk sikur luajti në një botë të ndryshme nga ajo e basketbollistëve të tjerë në parket.
Jokic, ndërkaq, iu afrua jo një “triple double”, por diçkaje edhe më të madhe. Ai mund të kishte pasur realizime me dy shifra në katër elementë të lojës, pasi arriti 23 pikë, 8 topa në tabela, 11 asistë dhe 7 vjedhje topi.
Një formë e shkëlqyer, ndonëse këtë herë lojtari qendër nga Serbia gaboi më shumë sesa duhet nga gjuajtjet për tri pikë. Pavarësisht nga yjet e mëdhenj në përbërje, dy skuadrat nuk po paraqiten shumë mirë këtë sezon. Brooklyn Nets është në vend të 7-të në Lindje me 6 fitore e 6 humbje, ndërsa Denver Nugets në vend të 11-ti në Perëndim, me 5 fitore e 6 humbje. /abcnews.al