Një shqiptar është shpallur fajtor nga një gjykatë britanike pasi u kap në një fabrikë kanabisi. Leontjev Zenelaj, kur u arrestua në Nëntor të 2016-s deklaroi se ishte skllav i krimit të organizuar, por në fakt u zbulua që ai bënte pjesë në një fabrikë droge në një shtëpi në York.
I riu shqiptar u dënua me 3 vite e 6 muaj burg. Siç shkruajnë mediat britanike, në momentin e arrestimit, Zenelaj kishte deklaruar që mbahej si skllav për llogari të një grupi kriminal shqiptar. Por në fakt i riu ishte emigrant ilegal dhe historia e tij u zbërthye pas hetimeve të policisë së North Yorkshire.
Si ra në pranga Leontjev Zenelaj?
Era e fortë e kanabisit në një shtëpi në rrugën Boroughbridge detyroi policinë të bënte një kontroll në banesë. Brenda gjetën 49 rrënjë kanabis dhe pajisje që shërbenin për rritjen e saj. Gjithashtu gjetën dy valixhe të vogla, të cilat mbanin veshmbathje për meshkuj dhe femra.
Video duke numëruar paratë
Mes shumë gjërash që u sekuestruan në vendin e ngjarjes agjentët gjetën edhe një marrëveshje qiraje me shenjat e gishtërinjve të Zenelaj si dhe një celular. Këtu gjetën si provë një video në të cilën shfaqej i riu duke numëruar 5000 Paund për pronarin e tij.
Këto fakte ishin në kontradiktë me pretendimin e tij se ishte skllav i krimit. Por përveç kësaj, Zenelaj u zbulua se kishte udhëtuar përreth vendit me të dashurën e tij, gjëra që provonin se i riu nuk mbahej kundër vullnetit të tij. Ai doli para gjykatës më 2 Maj 2019, ku edhe u shpall fajtor dhe u dënua.
Mediat angleze venë theksin se ky është hera e parë në North Yorkshire në të cilën është fituar ndaj skllavërisë moderne./abcnews.al