VIDEO | Doncic vendos rekord personal, Dallas Mavericks triumfon në fund

schedule10:58 - 16 Janar, 2020

schedule 10:58 - 16 Janar, 2020

Luka Doncic vendosi rekordin e asisteve në një ndeshje në karrierën e tij në basketbollin amerikan. Ylli 20-vjeçar nga Sllovenia ndihmoi në fitoren e Dallas Mavericks, me plot 17 asiste.

U luajt jashtë fushe dhe në ekip nuk ishte Kristaps Porzingis. E qartë që Dallas Mavericks do ta kishte të vështirë në Arenën e Sacramento, por shpëtoi mirë për shkak të shkëlqimit të yllit të saj kryesor. Luka Doncic realizoi një tjetër “triple double”, të 12-in në karrierën e tij në NBA, duke u bërë një nga më të rinjtë që ia del.

Jo vetëm kaq, por ai vendosi edhe rekordin personal për numrin e asisteve në një ndeshje, me 17 të tillë, vetëm dy më pak sesa rekordi i LeBron James. Përveç asisteve, 20-vjeçari slloven pati 25 pikë e 15 topa në tabela, pra duke realizuar një “triple double” vërtetë të nivelit shumë të lartë.

Dallas Mavericks ia doli të fitonte me rezultatin 127-123 dhe ky ishte suksesi i tretë radhazi për skuadrën nga Teksasi, duke përmirësuar disi pozitën në renditjen e Konferencës Perëndimore, me një bilanc prej 26 fitoresh e 15 humbjesh.

Edhe pse mbetet në vend të 6-të, Dallasi ka shanse shumë të mira për fazën “play off”, madje mund të pretendojë të paktën deri në vendin e dytë në Konferencë. Për t’u kthyer te Doncic, slloveni ka mesatare të larta këtë sezon, me rreth 29 pikë për ndeshje, gati 10 topa në tabela për ndeshje dhe fiks 9 asiste për ndeshje. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!