Nuk mund të kishte mbyllje më të mirë të fazës së 1/16-ve. “Kuqezinjtë” e Milan nuk kanë zhgënjyer mbrëmjen e kësaj të enjteje, teksa në “Fortuna Arena”, të Pragës kanë arritur të mundin sërish me një rezultat të madh, “gjigantët” çek, të Slavia Prague, duke “hipotekuar” kështu kalimin për në fazën çerekfinale të UEFA Europa League.
Ashtu si në sfidën e parë, edhe mbrëmjen e sotme “Kuqezinjtë” përfituan nga dalja e hershme, me kartonin e kuq, të një prej çekës, me mesfushorin, Tomas Holes, i cili u ndëshkuar në minutën e 20’-të, pas një ndërhyrjeje të gabuar, me arbitrin, Glenn Nyberg, që pati nevojën e sistemit “VAR”, për të marrë përfundimisht vendimin e tij.
Kaq mjaftoi, për të ndezur “motorrët” e “Kuqezinjve”, teksa në minutën 33’, 36’ e 45+6’ të pjesës së parë shënuan tre gola të shpejtë, falë “yjeve” të tyre, Christian Pulisic, Ruben Loftus-Cheek e Rafael Leao, duke “vulosur” përfundimisht kaulifikimin për në fazën e ardhshme të kompeticionit, ndërsa për vendasit golin e “nderit” e shënoi Matej Jurasek, duke e mbyllur kështu sfidën në rezultatin 1 me 3.
Falë kësaj fitoreje, djemtë e teknikut, Stefano Pioli vijojnë rrugëtimin e tyre, në Europa League, ku padyshim objektivi kryesor është fitimi i këtij turneu. Sa i përket kundërshtarëve të radhës, Milan deri më tani mund të përballet me një prej West Ham, Benfica, Bayer Leverkusen, Liverpool apo Marseille, teksa gjithçka do të mësohet mesditën e së premtes, pas hedhjes së shortit në Nion të Zvicrës. /i.m /abcnews.al
SHIKONI GOLAT: