Damian Lillard shkëlqeu në ndeshjet e fundit të basketbollit amerikan. Ylli i Portland Trail Blazer shënoi 51 pikë në fitoren e skuadrës së tij.
Nuk ka lojtar më në formë se ai në këtë moment. Damian Lillard ishte sërish heroi i mbrëmjes në basketbollin amerikan, pasi shkëlqeu fort për të gjashtën ndeshje radhazi, duke shënuar 51 pikë. Ylli i Portland ishte i papërmbajtshëm në fitoren 124-107 ndaj Utah Jazz, vetëm një ditë pasi dominoi ndaj Lakers në Los Angeles.
Në gjashtë takime pikët e tij kanë qenë 61, 47, 50, 36, 48 e tani 51, gati 300. Në pak më shumë se 36 minuta, ai pati edhe 2 topa në tabela e 12 asiste, ndërsa përqindja e realizimit nga loja ishte shumë e lartë, gati 60 për qind, madje edhe në gjuajtjet për tri pikë.
29-vjeçari shkëlqeu në një mbrëmje, kur LeBron James realizoi një “triple double” në fitoren e Lakers, dhe Kawhi Leonard pati 31 pikë në suksesin e LA Clippers. Portland po e shfrytëzon siç duhet frymëzimin e Lillard, sikurse edhe faktin që protagonisti kryesor ka në krah edhe basketbollistë të tjerë shumë të mirë si Carmelo Anthony, CJ McCollum, Hassan Whiteside apo Trevor Ariza.
Utah u përgjigj me lojtarët e tij më të mirë si Donovan Mitchell, që shënoi 25 pikë, apo Bojan Bogdanovic e Mike Conley Jr., të realizuan nga 22, por kjo nuk mjaftoi përballë Lillard. Sidoqoftë, do të duhen edhe shumë ndeshje të tilla nga ai, që Portland Trail Blazers të sigurojë të paktën një vend në “play off”, pasi për momentin është i 9-ti në renditjen e Konferencës Perëndimore, me bilanc negativ, 23 fitore e 27 humbje. /abcnews.al