Policia italiane ka publikuar pamjet nga operacioni ndërkombëtar i koduar “Sammogia”, ku ranë në pranga 13 persona, 3 prej të cilëve në Vlorë. Gjatë operacionit në vendin tonë, u kapën në Vlorë Landi Kalemaj, 52 vjeç, Floriant Muho, 38 vjeç dhe Ledjon Muho, 33 vjeç, pjesëtarë të një organizate kriminale në Itali.
Sipas mediave italiane, banda përbëhej nga shqiptarë, të cilët importonin çdo javë disa kilogramë drogë mes Gjermanisë dhe Italisë dhe ua besonin bashkëkombasve të tyre. Gjithashtu, kanë furnizuar edhe sasi të konsiderueshme marijuane. Gjatë operacionit u sekuestruan 26.5 kg kokainë dhe 11 kg marijuanë.
Arrestimet u bënë të mundura falë monitorimit të personave të dyshimtë, korrierëve që po udhëtonin vajtje-ardhje mes Italisë dhe Gjermanisë. Hetimet u kryen në bashkëpunim me Shërbimin për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor dhe Zyrën e Ekspertit të Sigurisë në Tiranë të Drejtorisë Qendrore të Policisë Kriminale, Departamentit të Policisë Kriminale (Drejtoria Hetimore CO dhe Fast Albania) dhe Zyrën Qendrore Kombëtare të Interpolit të Tiranës.
/abcnews.al