Football Republic dhe Teuta u përballen dje dhe dueli i dy skuadrave U19 u mbyll me një sherr masiv ku u përfshinë futbollistë dhe prindër, ndërkohë që në videon e kthyer virale dëgjohet edhe një grua që bërtet “Ç’është ky turp mo”.
Bie në sy fakti që të veshur me jelekët e shkruar “Security” ishin kryesisht djem të rinj, madje ndonjë mund të jetë edhe adoleshent. Në lidhje me këtë pjesë ka akuzuar edhe Teuta në reagimin e bërë.
E gjithë ngjarja e ndodhur vjen prej organizimit të dobët dhe përgjegjësit dihet kush janë, klubi pritës Football Republic që tenton të kursejë duke mos kontraktuar kompani të specializuara për garantimin e sigurisë, si dhe FSHF që lejon të luhet në kushte të tilla.
Në kushtet që autoritetet shtetërore kanë vendosur që aktivitetet sportive të zhvillohen pa praninë e spektatorëve, ndodh gjithë ky sherr. Imagjinoni çfarë mund të ndodhë në kushte të tjera, kur dihet që as Policia e Shtetit nuk begenis shpesh të shfaqet në ndeshje moshash.
Të mos flasim pastaj për ndryshimet në Kodin Penal, pasi dhjetëra persona do të përfundonin në burg me ligjin e ri të miratuar dhe kurrë të zbatuar. Supozohej të luftonte dhunën…
REAGIMI I TEUTËS – “Futbollistët e Football Republic U-19 ishin nxitës të dhunës, duke goditur me shkelma dhe grushta kundërshtarin dhe duke e kthyer fushën e blertë në një arenë boksi.
Edhe drejtori i “Football Republic”, Redi Jupi, ka bërë një veprim aspak normal, duke mos lejuar që policia të jetë e pranishme. Kujtojmë që në këtë ndeshje siguria ishte ne duart e punëtorve të akademisë “Football Republic”, jo sipas rregullores së FSHF-së.
Futbolli ka mision bashkimin e vlerave njerëzore dhe jo përçarjen dhe skandalet.
Teuta gjithnjë ka mbështetur dhe do të mbështesë rregullat në këtë sport, futbollin “fair-play”.
Kërkojmë nga institucionet përkatëse të marrin masa dhe të zbardhin sa më parë ngjarjen. Autorët duhet të vihen përpara përgjegjësisë”, shkruhet mes të tjerash në reagimin e Teutës. / abcnews.al