Bylis zhvilloi një ndeshje shumë të mirë përballë Kukësit, por goli i Guindos nuk vlejti dhe në fund festoi ekipi i Shpëtim Duros. Verilindorët fituan 2-1 falë realizimeve të Abazajt dhe Rrocës. Disfata e tretë në kampionat për ballshiotët, të cilët vazhdojnë të qëndrojnë lart në tabelë, saktësisht në vend të tretë me 20 pikë.
Klubi mallakastriot ka mbetur i pakënaqur me gjykimin e sfidës dhe pretendon për një penallti të paakorduar. Po luhej minuta e 44-t e pjesës së parë dhe rezultati ishte 1-1. Obanor, mbrojtësi i Kukësit, prek topin me dorë, teksa topi përplaset edhe te dora e majtë e Olsi Teqjes.
Pamjet janë qarta në videon e postuar, teksa Andi Koçi, arbitri kryesor i kësaj sfide, e cilësoi gjithçka të rregullt dhe vazhdoi lojën. Miqtë protestuan gjatë, por pretendimet e tyre nuk u morën për bazë. /abcnews.al