Pritej një përballje e luftuar dhe plot emocion e ashtu rezultoi të ishte, ku në fund triumfues dolën favoritët e kësaj sfide. “Violët” e Fiorentina nuk i kanë zhgënjyer të pranishmit në “Artemio Franchi”, të Firences, ku pas goditjeve të penalltive kanë arritur të eleminojnë nga Kupa e Italisë, “Emilianët” e Bologna, duke u bërë skuadra e parë që kap gjysmë-finalet e këtij kompeticioni.
Gjithçka u vendos pas goditjeve të 11-metërshave, me kohën e rregullt, si dhe pjesë shtesë, që përfunduan, në rezultatin “e bardhë”, 0 me 0. Nga pika e bardhë e penalltive, për skuadrën e teknikut, Thiago Motta, gabimin e kreu anësori austriak i mbrojtjes, Stefan Posch e në krahun tjetër Mandragora, Arthur Melo, Milenkovic, Yeri Mina e Lopez nuk gabuan duke siguruar triumfin.
Siç theksuam edhe më lart, “Violët” e Fiorentina bëhen skuadra e parë, që arrin fazën gjysmë-finale të këtij kompeticioni, për këtë edicion dhe tashmë presin përfundimin e sfidës së mbrëmjes së kësaj të mërkure, Milan-Atalanta, për të mësuar rivalin në raundin e radhës së Coppa d’Italia. /i.m /abcnews.al
SHIKONI GOLAT: