Boca Juniors-River Plate është një nga derbet më të zjarrta në botë. Dy skuadrat më të forta të Argjentinës u përballën mes tyre mbrëmjen e kaluar në mitikun “Bombonera”, sfidë që përfundoi në barazim 1-1.
Sebastian Villa Cano ktheu në gol një penallti në minutat e fundit të pjesës së parë dhe kaloi “Xenezies” në avantazh, por ekipi i Gallardos gjeti golin e barazimit në mesin e pjesës së dytë me anë të Agustin Palavecino.
Kartonët e kuq nuk munguan dhe të dy skuadrat e mbyllën takimin me nga dhjetë lojtarë. River pati një shans të artë për të fituar takimin në minutën e fundit. Boca desh shkaktoi autogol, por fati ishte me kampionët në fuqi.
Topi kaloi mbi portierin vendas, por mori një trajektore të çuditshme dhe nuk përfundoi në rrjetë. Një lojtar i River goditi shtyllën nga fare pak metra larg portës, duke humbur një mundësi të jashtëzakonshme. /abcnews.al

