VIDEO/ Barazim në “Air Albania: Sallaku gëzon Bylis, Tirana nis festën e trofeut

schedule20:57 - 29 Korrik, 2020

schedule 20:57 - 29 Korrik, 2020

Tirana e mbyll me barazim dhe 70 pikë këtë sezon në Kategorinë Superiore. Bardheblutë e Egbo, skuadra që u shpall kampione Shqipërie, nuk shkuan më shumë se një barazim 1-1 kundër Bylis në “Air Albania”.

Goli i parë u shënua nga Michael Ngoo. Anglezi dërgoi me kokë në rrjetë krosin e Idriz Bathës në minutën e 21-të. Goli nr 13-të në kampionat për “gjigantin” e sulmit të Tiranës.

Rastet nuk munguan në këtë takim, ashtu si edhe shtyllat. Murataj për Bylis dhe Hasani për vendasit, u frenuan nga shtyllat, ndërsa i pafat ishte edhe Aladin Sallaku i ekipit të Dovedan, gjuajta e të cilit çerek ore përpara fundit u përplas në traversë.

Gjithsesi, 25-vjeçari ia doli të gjente golin në minutën e dytë shtesë, pas një goditje të fortë nga jashtë zonës. Albi Doka luajti takimin e fundit me ekipin e zemrës (do të transferohet në Kroaci), ndërsa Bylisi e mbylli sezonin në vend të shtatë dhe do të jetë edhe sezonin e ardhshëm pjesë e dhjetë ekipeve më të mira shqiptare. /abcnews.al

Kategoria Superiore, java e fundit
Tirana-Bylis 1-1
(Ngoo 21′ / Sallaku 90+2′)