Himara u përfshi nga flakët gjatë natës, ndërsa zjarri u përhap me shpejtësi duke përfshirë sipërfaqe të mëdha toke, ullishte dhe disa banesa.
Banorët e zonës rrëfejnë momentet e panikut, duke treguar se flakët u përhapën me shpejtësi dhe rrezikuan banesat e tyre.
Sipas tyre, ndërhyrja e shpejtë e Policisë bëri të mundur largimin e banorëve nga zonat e rrezikuara dhe shmangien e pasojave më të rënda.
“Zjarri erdhi nga lart. Ndërhynë policët dhe na larguan. Shtëpitë u dogjën. Banesat janë të banuara. Janë djegur banesat. Ndihma e parë na u dha nga policia”, u shpreh një prej banoreve.
Një tjetër banore, e shqetësuar, ka treguar momentin e përhapjes së zjarrit duke theksuar se gjithçka ndodhi shumë shpejt.
“Na erdhi nga lart, na erdhi këtu. Mezi kemi ikur me makina. Na erdhi direkt flaka, me sekonda. Mezi kemi shpëtuar. U dogjën komplet ullinjtë për momentin, Morëm makinat dhe u zhdukëm të gjithë nga shtëpia. Më lajmëruan te kushërira ime, lart po digjen shtëpitë. Lart janë djegur dy-tre shtëpi. Ishalla shpëtojnë, se janë fëmijët edhe akoma me çezmë po luftojnë të shkretët lart. Janë vetëm atje ku shikoni flakët. Afërsisht nga ora 7:30 më lajmëruan dhe kam ardhur me sekonda që të hapnin çezmat. Për 10 minuta kemi ikur nga shtëpia, kemi braktisur shtëpinë dhe kemi ikur. Ne jemi banorë vetë. Nuk kemi turistë. Turistët i kemi parë të gjithë me valixhe, po iknin. I pashë të gjithë turistët me valixhe duke ikur”, tregoi një tjetër banore e zonës.
Ndërkohë, forcat zjarrfikëse, Policia dhe Forcat e Armatosura vijojnë angazhimin në terren për izolimin e vatrave dhe mbajtjen nën kontroll të situatës.

