VIDEO/ Autogol dhe i kuq: Sllovakia thyen Poloninë, e nderon një interist

schedule19:55 - 14 Qershor, 2021

schedule 19:55 - 14 Qershor, 2021

Festë sllovakë në “Gazprom Arena” të Shën Petersburgut, Rusi. Sllovakia fitoi 1-2 ndaj Polonisë dhe ka siguruar tre pikët e para në grupin E të Euro 2020 (bëjnë pjesë edhe Spanja e Suedia).

Robert Mak, shoku i Myrto Uzunit te kampionët e Ferencvaros, bëri gjithçka bukur në krahun e majtë në minutën e 18-të. Goditja e tij përfundoi në rrjetë pas një devijimi dhe Sllovakia në avantazh.

UEFA e cilësoi si një autogol të Wojciech Szczesny, por e gjithë merita i shkon 30-vjeçarit të Sllovakisë. Polonia e nisi shumë mirë fraksionin e dytë të ndeshjes dhe gjeti barazimin pas 29 sekondave.

Aksion i bukur me disa pasime dhe finalizim i Karol Linetty. Gjuajtja e lojtarit të Torinos nuk u prit dot nga portieri kundërshtar. Moment i mirë për polakët, por në minutën e 62-të mbeten me dhjetë lojtarë.

Grzegorz Krychowiak u largua përpara kohe nga fusha për shkak të dy kartonëve të verdhë. Sllovakia përfitoi dhe shtatë minuta më vonë gjeti golin e fitores falë një interisti.

Kros i Marek Hamsik nga goditja e këndit dhe gol i Milan Skriniar. Mbrojtësi i kampionëve të Italisë, u shfaq në versionin e një bomberi dhe realizoi një gol tepër të rëndësishëm për kombëtaren e tij. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!