VIDEO/ Atletico kalon pengesën “Andaluziane”, Depay hero në çerekfinalen ndaj Sevilla

schedule09:56 - 26 Janar, 2024

schedule 09:56 - 26 Janar, 2024

Janë të vetmit ndër “gjigantët” e La Liga, që kanë mbetur në garën për trifumin, në “Copa del Rey”. “Los Colchoneros” e Atletico Madrid zhvilluan një paraqitje tejet fantastike mbrëmjen e së enjtes, që sapo lamë pas, teksa në “Metropolitano Stadium” mposhtën me 1 gol “Andaluzianët” e Sevilla, duke siguruar kështu një biletë gjysmëfinaleje për Kupën e Mbretit.

Goli i vetëm i sfidës erdhi në minutën e 78’-të, ku pas një aksion fantastik, të “Los Colchoneros”, anësori argjentinas, Angel Correa shtron një pasim në zonë për “tulipanin” holandez, Memphis Depay, i cili nga një distancë e afërt dhe me portën e boshatisur, nuk gabon, duke e dëguar topin në rrjetën e norvegjezit, Nyland.

Mirëpo, ky nuk ishte i vetmi gol i sfidës, pasi djemtë e teknikut, Diego Simeone arritën të shënonin edhe 2 herë të tjera, para golit të holandezit, në minutat 60’ e 68’, falë “fantazistit”, Antoine Griezmann e Memphis Depay, mirëpo të dy golat u anulluan për shkak të pozicioneve jashtë loje gjatë ndërtimit të aksioneve dhe dërgimit të topit në rrjetë.

Rast të artë pati edhe francezi i Atletico, mirëpo nga pika e bardhë e penalltisë, në minutën e 26’-të, Griezmann dështoi. Polemikat nuk munguan as në fundin e sfidës, ku fillimisht arbitri Jose Gil Manzano akordoi një 11-metërsh, në favor të “Andaluzianëve”, të cilët mund të barazonin sfidën, mirëpo pas një rishikimi të aksionit me sistemin VAR penalltia nuk u akordua, duke e mbyllur sfidën me fitoren e “Los Colchoneros”.

Siç theksuam edhe më lart, falë kësaj fitoreje, “gjigantët” spanjollë të Atletico Madrid mbeten i vetmi favorit, pas eleminimit të Real Madrid e Barcelona, në garën për titullin e dytë për nga rëndësia, në futbollin “iberik”. Përsa i përket kundërshtarëve, në listë janë 3 ekipe Athletic Bilbao, Real Sociedad e Mallorca dhe gjithçka do të mësohet mesditën e kësaj të premteje, pas hedhjes së shortit. /i.m /abcnews.al 

PËRMBLEDHJA E SFIDËS: