Atalanta po përjeton një periudhë fantastike dhe të gjithë lojtarët ndodhën në kulmin e formës. Skuadra e Gasperinit arriti një fitore spektakolare përballë Valencias në ndeshjen e parë të Champions League (4-1) dhe është me një këmbë në çerekfinale.
Bergamaskët nuk janë ndalur as në fushën e Lecce, teksa kanë fituar thellë. Miqtë fituan 2-7 në “Via del Mare” dhe konfirmohen forcë e katërt në Serie A. Duvan Zapata realizoi një tregolësh (11 gola në total në kampionat), teksa të tjerët u realizuan nga Ilicic, Muriel, Malinovsky dhe Donati (autogol).
Vendasit ia dolën të barazonin në një moment rezultatin dhe pjesa e parë u mbyll 2-2, por Atalanta ishte e papërballueshme në pjesën e dytë. Sulmi ndodhet në formë të shkëlqyer dhe Atalanta numëron plot 70 gola të shënuar në 25 javë kampionat, si askush tjetër në Serie A. /abcnews.al
Lecce-Atalanta 2-7
(Saponara 26′, Donati 40′ / Donati (aut) 17′, Zapata 22′, 54′, 62′, Ilicic 47′, Muriel 87′, Malinkovsky 90+2′)