Ismet Munishi është i veçantë. Trajneri dardan, i cili iu afrua shumë titullit me Ballkanin këtë sezon, ishte i ftuar në emisionin “Kampionët” dhe nuk mbeti jashtë diskutimit humbja e thellë që Barcelona pësoi kundër gjermanëve të Bayern Munich.
Munishi si zakonisht nuk i kursen batutat, teksa thotë që as ai me Ballkanin nuk i pësonin tetë gola. Një kritikë e drejtpërdrejtë për trajnerin Quique Setien, që sigurisht trajneri dardan nuk është se do t’i zërë vendin.
“Nuk mundesh ti në krye të Barcelonës të pësosh tetë gola, a je në terezi. Unë të luaj nesër me Ballkanin, tetë gola s’i pësojmë. Kurrë! Shkon ti trajneri i Barcelonës, me alamet lojtarësh dhe thotë ky që nuk i kanë respektuar.
Bayern i ka respektuar, se 15 gola ia shënonte. I respektuan mirë. Nuk po dua tani të dal të bëhem trajner i Barcelonës, se ekzagjerohet tepër, por ata duhen të kthehen në identitet”, u shpreh Munishi gjatë bashkëbisedimit në emision. /abcnews.al