Ekipi i Luftëtarit, në sportin e vetëm që funksionon në Gjirokastër, në futboll përjeton momentin më të errët të historisë së saj 90-vjeçare qe prej krijimit të tij. Ky ekip nga i cili kanë dalë mjaft emra të njohur të elitës sportive shqiptare si: Millo, Kalluci, Braho, Boni, Xhumba, Haxhi etj aktualisht po shkon drejt shkrirjes.
Lojtarët e ekipit bluzi kanë mbi një muaj që braktisën stërvitjen dhe asgjë nuk funksionon. Janë të shumta faktorët që kanë ndikuar në këtë kolaps që ka pllakosur skuadrën gjirokastrite. Ish-trajneri i portierëve të luftëtarit së fundmi, Ilir Zeko, është shprehur se që prej datës 15 gusht kishte filluar grumbullimi i lojtarëve si dhe vendosja e trajnerit Marko Jovanoviç.
Sipas Zekos presidenca ka premtuar shumë, kryesisht në aspektin financiar, por nuk ka bërë asgjë. Kjo ka bërë që lojtarët dhe stafi teknik të largohen, si dhe ekipi të rrezikojë rënien në kategorinë e tretë. Presidenca e ekipit nuk ndihet dhe nuk ka patur gjatë kësaj kohe reagim zyrtar për situatën aktuale.
“Më 15 gusht ekipi u grumbullua dhe u mendua se gjërat do të shkonin mirë. U bënë edhe disa miqësore dhe kishte mobilizim. Me 15 shtator nisi bojkoti dhe u mendua se do zgjaste 2-3 ditë. Kërkonin pagat e prapambetura. Duke parë situatën ne u larguam nga ekipi. Bojkoti vazhdon dhe nuk e dimë se çfarë do të ndodhë. Deri tani nuk po zhvillohet stërvitje.
Kjo ka sjellë pasoja edhe për ekipet e moshave. Nuk u bë as ekipi U21, edhe U19 është thuajse i shpërbërë. Pasojat janë të mëdha, është një qytet që po vdes nga futbolli. Fatkeqësi e madhe, për ne që kemi kontribuar për kaq vite. Nuk e di kush janë përgjegjësit. Deri tani nuk kemi dëgjuar asnjë reagim, për të mësuar se kush është fajtori për këtë situatë.
E ardhmja është më katastrofave. Vitin tjetër bie edhe nga kategoria. Po shkon drejt shkrirjes. Nëse s’merr pjesë në kampionat, atëherë bie në Kategorinë e Tretë. Nëse edhe më pas nuk marrin pjesë, atëherë shkon gjithçka drejt shkatërrimit dhe nuk do të ketë futboll në qytetin e Gjirokastrës”, shprehet Zeko.
Specialistët Arjan Pano dhe Gramoz Braho shprehën pakënaqësitë në lidhje me menaxhimin nga ana e bashkisë Gjirokastër dhe klubit. Ata kanë deklaruar se bashkia Gjirokastër duhet t’i kushtojë vëmendje në investime në infrastrukturën sportive si dhe në krijimin e gjeneratave të reja nëpërmjet akademisë, që po shkon drejt shkrirjes totale. Gjirokastrës dita ditës po i ikën sporti masiv, me të cilën është shquar gjithmonë. Kjo situatë normalisht ka zhgënjyer maksimalisht për sportdashësit.
“Më erdhi keq që Luftëtari po vete drejt denigrimit total. E keqja më e madhe është se u vra shpresa për çdo gjë. I vetmi ekip që përfaqësonte denjësisht jugun ka arritur në pikën ku shkrihet. Kanë ngelur vetëm 4-5 lojtarë nga të rinjtë, te tjetër janë larguar. Pse? Sepse njerëzit që kanë drejtuar këtë ekip kanë qenë ata që e kanë shkatërruar. Gjirokastra nuk ka pasur kurrë asnjë president apo drejtor që të mbante këtë ekip. Është fatkeqësi e madhe.
Asnjë nuk ikën vetë, kanë ikur ose për pakënaqësi ose për mospagesa në vite. Tjetra është ajo që u kanë bërë presione të largohen dhe të mos kërkojnë detyrimet që u kanë. Ku janë të drejtat e futbollistëve, të atyre që kanë derdhur gjak në fushë. Luftëtari nuk është ekip që ka ardhur nga hiçi. Barra kryesore i bie Bashkisë. Këtu u vra shpresa dhe dëshira e fëmijëve gjirokastritë. Duhet të paktën ekipi të marrë pjesë në aktivitetet kombëtare. Le të zgjidhen njerëzit e duhur dhe të organizohet klubi”, tha Pano. /abcnews.al