VIDEO/ Anthony Davis “s’ka nevojë” për James, çmonton i vetëm 76ers

schedule12:40 - 4 Mars, 2020

schedule 12:40 - 4 Mars, 2020

Los Angelos Lakers është një nga pretendentët kryesorë për të fituar titullin këtë vit në basketbollin amerikan. Skuadra nga Kalifornia triumfoi ndaj Philadelphia 76ers udhëhequr nga Anthony Davis dhe LeBron James.

Nuk janë saktësisht si dyshja e dikurshme e San Antonios, David Robinson-Tim Duncan, por gjithsesi i afrohen. Anthony Davis dhe LeBron James kanë krijuar një partneritet fitues te Lakers dhe këtë e tregon klasifikimi i Konferencës Perëndimore, siç e tregoi edhe ndeshja ndaj Philadelphia 76ers.

Këtë herë ishte Davis ai që udhëhoqi, të paktën për pikët e shënuara, me 37 të tilla, në fitoren 120-107.  Kuptohet, ndaj një rivali pa yllin kryesor, Joel Embiid, ishte më e lehtë, por asnjëherë nuk është e thjeshtë të fitosh 47 ndeshje në NBA e të humbasësh vetëm 13.

Davis shtoi edhe 13 topa në tabela, si dhe pati 2 asiste, 4 vjedhje topi e 2 bllokime gjuajtjesh, me një paraqitje thuajse të përsosur.  Jo më kot realizoi 13 nga 19 gjuajtjet e lojës, madje 4 nga 5 për tri pikë. Ai humbi vetëm një gjuajtje të lirë, 7 nga 8.

LeBron James e bëri të vetën, edhe pse paksa i frenuar.  Shënoi 22 pikë, kapi 7 topa në tabela e shërbeu 14 asiste, që është edhe specialiteti i tij. Nëse mund të quhet që pushoi pak, atëherë ishte një pushim tepër aktiv.

Padyshim që Lakers janë pretendentët e dytë për titull në NBA, pas Milwaukee Bucks, madje kanë si favor përvojën e jashtëzakonshme të LeBron në “play off”. Gjithsesi, duhet mbajtur ritmi deri në fund të sezonit të rregullt, e me gjasë duhet përballuar derbi ndaj Clippers, për të kaluar në finale e madhe. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!