Fitore tepër e rëndësishme për Eintracht Frankfurt në transfertë. Ekipi i drejtuar nga austriaku Hutter mposhti Union Berlin me rezultatin 1-2, duke u ngjitur në kuotën e 10 pikëve pas javës së gjashtë.
Humbja e tretë rresht për ekipin kryeqytetas, që renditet në vend të 14-të me katër pikë. Pjesa e parë u mbyll pa gola. Emocionet ishin ruajtur për në 45 minutëshin e dytë, që nisi me golin e miqve.
Holandezi Dost shfrytëzoi një top të grushtuar nga portieri vendas dhe zhbllokoi shifrat që në minutën e 48-të. Eintracht nuk u ndal dhe gjeti sërish rrugën e rrjetës. Andre Silva shënoi golin e dytë në Bundesligën gjermane.
Kundërsulm i shpejtë i miqve, krosim i bukur i Sow dhe finalizim i portugezit. Vendasit nuk u dorëzuan dhe rihapën ndeshjen 4 minuta përpara fundit. Nigeriani Ujah i ardhur nga stoli shënoi një gol të bukur dhe ndezi shpresat e Unionit, por koha ishte e pamjaftueshme për të barazuar rezultatin. /abcnews.al
Union Berlin – Eintracht Frankfurt 1-2
(Ujah 86’ / Dost 48’, Andre Silva 62’)