Al Nassr ka nënshtruar Inter Miamin, duke e mposhtur 6-0 në ndeshjen miqësore të zhvilluar në Riad.
Serinë e golave për skuadrën arabe e hapi Otavio në minutën e tretë me një asistim të Marcelo Brozovic.
Shtatë minuta më vonë shënoi Anderson Talisca, ndërsa Al Elwai ishte në rolin e asistuesit.
Por, për të rënduar edhe më shumë situatën e tyre u përkujdes Aymeric Laporte që shënoi nga gjysmëfusha e tyre në minutën e 12-të, duke e zënë portierin e Inter Miamit në befasi.
Me këto tri gola përfundoi pjesa e parë, teksa Cristiano Ronaldo i dëmtuar shikonte nga tribunat, Lionel Messi që gjendej në bankinë nuk u aktivizua fare. Në 45 minutat e dytë vazhdoi ritmi i lartë i Al Nassr, që realizoi edhe tri gola të tjera. Talisca shënoi golin e dytë personal dhe të katërtin për ekipin arab në minutën e 51-të, nëpërmjet penalltisë.
Për 5-0 u përkujdes Mohammed Maran (68’), derisa Ronaldo po argëtohej shumë me atë çfarë po bënin bashkëlojtarët e tij ndaj ekipi të rivalit të tij më të madh në karrierë. Talisca e kompletoi tripletën e tij në minutën e 73-të, për të vazhduar formën e dobët Inter Miamit që nuk di të fitojë në katër ndeshjet miqësore.
Lionel Messi u aktivizua në minutën e 83-të në ndeshje, por që tashmë ishte shumë vonë dhe nuk arriti të shënonte të paktën golin e nderit në këtë takim që përfundoi 6-0./ h.ll/abcnews.al